DISKUTIM PANEL PËR LIRINË E INFORMACIONEVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR NË VITIN 2022

20.04.2023

Në diskutimin panel të sotëm rajonal në organizim të Rrjetit Ballkanik Perëndimor (BIRN) “Liria e informacioneve në Ballkanin perëndimor në vitin 2022”, u shkëmbyen përvojat e implementimit të qasjes së lirë në informacione me karakter publik nga ana e gazetarëve, organizatave qytetare dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ku si panelist ishte drejtoresha e Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik, Pllamenka Bojçeva.

Raporti “Qasja e lirë në informacion në Ballkanin Perëndimor në vitin 2022: “Kërkesat pa përgjigje” monitorimi institucional-Transparenca dhe proaktiviteti-Viti i tretë” u prezantua në panelin e diskutimit, i cili u përgatit nga gazetarë të rrjetit BIRN nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Nga janari deri në dhjetor 2022, gazetarët e BIRN kanë paraqitur 376 kërkesa për informacion publik. Vetëm 134 kërkesa janë përgjigjur plotësisht, 15 janë përgjigjur pjesërisht dhe 14 kërkesa janë refuzuar. Më shumë se gjysma e kërkesave, 213, nuk janë përgjigjur fare (“heshtja e administratës”) çka reflekton mungesën e transparencës së institucioneve publike dhe proaktivitetit të tyre.

Në panelin për qasje të lirë në informacione, drejtoresha Bojçeva theksoi se në Maqedoninë e Veriut problem kryesor është heshtja e administratës dhe ajo paraqet sfidën kryesore të Agjencisë, tejkalimin e saj në punën e saj të mëtutjeshme.

“Kur një kërkues dorëzon kërkesë për qasje në informacione të karakterit publik, institucionet nuk përgjigjen brenda afatit të përcaktuar me ligj. Qëllimi ynë është ta ndryshojmë këtë me trajnime të rregullta për personat zyrtarë që pranojnë kërkesat. Vullneti politik luan një rol shumë të rëndësishëm. Ajo që ne si Agjenci po mundohemi të arrijmë, edhe pse na mungojnë resurset, është ta tejkalojmë atë duke ndërtuar standarde institucionale”, tha Bojçeva.

Panelistët e tjerë theksuan se institucionet preferojnë të heshtin ose të përgjigjen pjesërisht dhe jo gjithmonë japin qasje të plotë në informacionet e kërkuara, veçanërisht kërkesave të gazetarëve.

Pjesa e dytë iu kushtua Partneritetit për Qeverisje të Hapur, problemeve dhe perspektivave, ku panelistët theksuan se tri sfidat më të rëndësishme me të cilat përballen vendet e Ballkanit janë lufta kundër korrupsionit, mungesa e hapësirës së hapur civile dhe besimi tek institucionet. U theksua se ky proces nuk duhet të varet nga angazhimet personale të një numri të kufizuar njerëzish, si në institucione ashtu edhe nga përfaqësues të sektorit civil dhe as nga vullneti politik i autoriteteve.

Accessibility Toolbar