DEKLARATË E PËRBASHKËT E INSTITUCIONEVE PËR QASJEN NË INFORMACIONE ME KARAKTER PUBLIK TË INICIATIVA 2020

21.10.2026

Anëtarët e INICIATIVA 2020 — Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Serbia — u mblodhën për takimin e tyre të 7-të vjetor të nivelit të lartë, të organizuar nga Komisioneri i Informacionit në Koper, Slloveni, nga 19 deri më 21 tetor 2026. Ata shkëmbyen përvoja dhe diskutuan zhvillimet dhe sfidat aktuale në fushën e qasjes në informacione me karakter publik.

Në takimin e nivelit të lartë, anëtarët prezantuan dhe diskutuan sfidat aktuale. Në veçanti, sfidat që lidhen me menaxhimin e informacionit në shoqërinë dixhitale, qasjen në të dhënat arkivore, në lidhje me zhvillimet teknologjike dhe përdorimin në rritje të mjeteve të inteligjencës artificiale, të cilat përdoren gjithashtu për të krijuar kërkesa dhe ankesa në lidhje me qasjen në informacione me karakter publik.

Anëtarët ranë dakord që e drejta e qasjes në informacione me karakter publik vazhdon të jetë një garanci e rëndësishme e transparencës dhe llogaridhënies, duke u mundësuar individëve, medias dhe shoqërisë civile të marrin informacion të besueshëm. Në kontekstin e zhvillimit të shpejtë të teknologjive moderne, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sigurimit të transparencës në përdorimin e inteligjencës artificiale. Kjo përfshin informacion mbi implikimet për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe mjedisin.

Vëmendje e veçantë iu kushtua numrit në rritje të ankesave, dhe në veçanti numrit në rritje të rasteve të heshtjes administrative, një çështje që anëtarët e kishin ngritur tashmë në takimet e mëparshme. Anëtarët ranë dakord që autoritetet publike duhet të ndërtojnë kapacitete për t’iu përgjigjur ritmit më të shpejtë të komunikimit dhe mënyrave në ndryshim të kryerjes së procedurave administrative. Në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh kornizat specifike ligjore dhe institucionale të secilit anëtar, dispozitat ligjore, kur është e nevojshme, duhet të rishikohen dhe përshtaten në përgjigje të zhvillimeve teknologjike.

Në këtë kontekst, duhet të ndërmerren përpjekje për të modernizuar dhe thjeshtuar procedurat administrative që rregullojnë ushtrimin e të drejtës së qasjes në informacione. Masa të tilla duhet të synojnë të ofrojnë mjete juridike efektive dhe të arritshme për mbrojtjen e të drejtës së qasjes në informacione. Qëllimi është të sigurohet që kërkesat për qasje në informacione të trajtohen menjëherë, në mënyrë efikase dhe në kohën e duhur, duke mundësuar kështu ushtrimin efektiv të të drejtës themelore të njeriut për qasje në informacione në praktikë, në përputhje me standardet ndërkombëtare në fuqi.

Disa nga anëtarët e Iniciativës 2020 tërhoqën vëmendjen ndaj numrit në rritje të kërkesave të pabazuara dhe keqdashëse. Ata paraqitën raste në të cilat ushtrimi i së drejtës së qasjes në informacione me karakter publik nuk korrespondon me qëllimin dhe detyrat që përmbush kjo e drejtë. Anëtarët ranë dakord që parimi i ushtrimit të ndërgjegjshëm dhe të drejtë të të drejtave është një nga parimet themelore të zbatueshme në procedurat që lidhen me qasjes në informacione me karakter publik. Veprimet e kërkuesve që dëmtojnë të drejtat dhe interesat e palëve të treta ose interesin publik nuk duhet të gëzojnë mbrojtje ligjore.

Autoritetet riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për transparencë, llogaridhënie dhe vendimmarrje të pavarur si elementë kyç në sigurimin e ushtrimit efektiv të së drejtës së qasjes në informacione. Ata ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin profesional brenda kornizës së Iniciativës 2020, me qëllim forcimin e mëtejshëm të ushtrimit dhe mbrojtjes efektive të së drejtës për qasje në informacione në rajon.

Takimi i ardhshëm vjetor i Iniciativës 2020 në vitin 2027 do të organizohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga ana e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik.

Accessibility Toolbar