BISEDË ME PLLAMENKA BOJÇEVA, DREJTORESHË E AGJENCISË PËR MBROJTJEN E TË DREJTËS PËR QASJE TË LIRË NË INFORMACIONE ME KARAKTER PUBLIK

01.11.2024

Bojçeva: “Propozojmë dënime për udhëheqësit të cilët nuk japin informacione”

 

Autor: Vasko Magleshov

 Pesë vjet pas miratimit të Ligjit të ri për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik në vitin 2019, mjet i përdorur nga gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët për të marrë të dhënat të cilat i kanë institucionet, u formua një grup pune për ndryshimin e tij.

Iniciativa vjen nga Agjencia që mbron të drejtën për qasje të lirë në informacione me karakter publik, e cila menaxhohet nga Pllamenka Bojçeva. Këto ndryshime propozohen në një kohë kur gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile reagojnë gjithnjë e më shumë për faktin se institucionet bëjnë dredhi me kërkesat e tyre dhe nuk u japin informacionin që kanë.

Me Bojçevën kemi biseduar se çfarë parashikojnë ndryshimet e reja ligjore dhe si e sheh ajo mbylljen e institucioneve.

BIRN: Zonja Bojçeva, në Ministrinë e Drejtësisë, me iniciativën tuaj, u mbajt takimi i parë i grupit punues për ndryshimin e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik. Pse ndryshimet tani dhe çfarë parashikojnë ato?

Ligji për aksesin e lirë në informacione me karakter publik është në fuqi prej 5 vitesh. Ajo periudhë ishte më se e mjaftueshme për të përcaktuar se cilat dispozita duhet të ndryshohen dhe plotësohen, për të mundësuar realizimin dhe ushtrimin sa më të mirë dhe efikas të kësaj të drejte themelore të njeriut, duke pasur parasysh se realizimi i kësaj të drejte varet në masë të madhe realizimi i të drejtave të tjera njerëzore.

Grupi punues përfshin përfaqësues nga Agjencia, Ministria e Drejtësisë, gjyqtarë të Gjykatës Administrative, si dhe përfaqësues nga sektori joqeveritar dhe gazetarë. Ndryshimet që presim të adresohen janë: shkurtimi i afatit prej 20 ditësh; ripërcaktimi i dispozitave për kundërvajtje dhe parashikimi i dispozitave për kundërvajtje ndaj drejtuesve dhe personave përgjegjës; rritja e kompetencave të Agjencisë në drejtim të rritjes së transparencës proaktive të poseduesve të informacionit; futja e një neni të veçantë në ligj për mjedisin jetësor; gjetja e një zgjidhjeje për situatën me poseduesit e informacioneve që nuk kanë faqet e tyre të internetit etj.

Këto janë ato pak propozime bazë, për të cilat ne nga Agjencia besojmë se janë të nevojshme ndryshime dhe plotësime në ligj dhe natyrisht, siç e kam theksuar tashmë, gjithçka synon një realizim më të mirë, më të shpejtë dhe më efikas të së drejtës për qasje në informacion në vendin tonë për të cilin kemi marrë garanci nga Ministria e Drejtësisë se do të përmbushet.

Ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione parashikohen në Strategjinë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara 2023-2030, në Strategjinë e Transparencës së Qeverisë së RMV 2023-2026 dhe në Strategjinë për Reformën e Administratës Publike 2023-2030. Po ashtu, në gusht të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ratifikoi Konventën e Këshillit të Evropës për qasje në dokumente zyrtare, prandaj është e nevojshme nevoja e harmonizimit të legjislacionit vendor me dispozitat e Konventës.

BIRN: Në periudhën e fundit është rritur tendenca për të mos iu përgjigjur kërkesave për qasje të lirë nga institucionet dhe në raste të tjera, pas pranimit të ankesave nga Agjencia, ju vijnë padi. Për çfarë ndodh kjo dhe a është e mundur mbyllja e mëtejshme e institucioneve në raport me publikun?

Fatkeqësisht, të ashtuquajturit “Heshtja e administratës” është një problem që vazhdon prej vitesh dhe që me gjithë përpjekjet e Agjencisë për tejkalimin e tij, është ende një problem real.

Për ilustrim, nga gjithsej 298 ankesa të pranuara në Agjenci nga 1 janari deri më sot (24 tetor 2024), 212 ose 71% janë dorëzuar për shkak të mosproceduimit të kërkesave për qasje në informacion.

Por nga ana tjetër, për 55 ankesa të paraqitura për shkak të heshtjes ose afërsisht 26%, procedura është ndërprerë me kërkesë të kërkuesit, për faktin se është marrë informacioni i kërkuar.

Theksoj se është e nevojshme të ndërtohet një kulturë institucionale dhe ndërgjegjësimi për transparencë tek poseduesit e informacionit, vetëm se në atë mënyrë faktori subjektiv, pra ndryshimi i strukturës drejtuese, nuk do të ndikojë në transparencën, dhe llogaridhënien e institucioneve.

Një nga mënyrat për të tejkaluar këtë tendencë negative dhe për të ndërtuar një kulturë dhe ndërgjegjësim institucional është vendosja e procedurave të brendshme, si për veprimin sipas kërkesës për qasje në informacion, ashtu edhe për publikimin aktiv, të vetë-inicuar, në kohë dhe të përditësuar të informacionit që poseduesit i krijojnë ose me të cilat disponojnë si rezultat i kryerjes së punëve dhe detyrave të punës në kompetencë të tyre.

Lidhur me paditë, të cilat poseduesit e informacionit paraqesin kundër vendimeve të Agjencisë, në vend që të veprohet sipas tyre, praktikohet me të vetmin qëllim që të vonojë publikimin e informacionit të kërkuar dhe/ose të reduktojë dhe të humbasë interesin për informacionin e kërkuar.

Kjo pjesërisht ka të bëjë edhe me faktin se Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Administrative nuk kanë ndërtuar një praktikë të qëndrueshme nëse poseduesit e informacionit kanë status aktiv ligjor për të ngritur padi.

BIRN: Duke qenë se gjithnjë e më shumë institucione zgjedhin të shpërfillin kërkesat, madje edhe kur Agjencia i udhëzon se duhet të përgjigjen, cilat janë sugjerimet tuaja për të adresuar këtë problem me ndryshimet e reja të ligjit? Çfarë masash të tjera, përveç rritjes së gjobave, mund të ndërmerren për të garantuar qasjen në informacione me karakter publik?

Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Administrative duhet të mbajnë një qëndrim të përbashkët dhe të prezantojnë një praktikë konsistente që poseduesit, si autoritete të nivelit të parë, të ngarkuara me veprimin ndaj kërkesave për qasje në informacion në procedurat administrative, të mos jenë paditës, veçanërisht në proceset ku realizimi i interesit publik është i një rëndësie thelbësore. Nga ky këndvështrim, më vjen mirë që në grupin punues për ndryshimet e ligjit ka edhe përfaqësues nga Gjykata Administrative.

Një propozim tjetër, siç e kam përmendur tashmë, është parashikimi i sanksioneve kundërvajtëse për udhëheqësit dhe personat përgjegjës tek poseduesiut e informacionit për shkak të mospublikimit të informacionit dhe pamundësimit të qasjes në informacione. Tansparenca është një nga mjetet e luftës kundër korrupsionit.

Accessibility Toolbar