AGJENCIA U BË PJESË E RRJETIT TË RI EVROPIAN PËR TRANSPARENCË DHE TË DREJTË NË INFORMACIONE – ENTRI

Rrjeti i ri Evropian për Transparencë dhe të Drejtën e Informimit (ENTRI) u lançua zyrtarisht në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informacionit (ICIC 2025) në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë, nga 23 deri më 25 qershor 2025. Rrjeti do të kryesohet për tre vitet e ardhshme nga Komisioneri Federal Gjerman për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informacionit (BfDI), u zgjodh një bord ekzekutiv dhe u miratua Karta e Rrjetit Evropian për Transparencë dhe të Drejtën e Informimit.
Në fjalimin e vet, nikoqiri i konferencës, prof. d-r Luiza Shpeht – Rimenshnajder, theksoi:
“ENTRI është një zë i fortë për transparencë dhe liri më të madhe informacioni në Evropë. Së bashku me partnerët tanë evropianë, ne kemi krijuar një rrjet për shkëmbim dhe bashkëpunim. Qasja e lirë në informacion është themeli i qeverisjes së mirë dhe demokracisë.”
Përfaqësues nga Maqedonia e Veriut – Pllamenka Bojçeva, Drejtoreshë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, dhe Tanja Kovaçev, Këshilltare Shtetërore në të njëjtin institucion, morën pjesë aktive në punimet e konferencës. Pjesëmarrja e delegacionit maqedonas konfirmon angazhimin e vendit për të promovuar transparencën dhe respektimin e vazhdueshëm të së drejtës së publikut për qasje në informacione me karakter publik. Përmes pjesëmarrjes së saj aktive, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e iniciativës së re evropiane që synon promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar, forcimin e transparencës dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies së institucioneve publike.
Ngjarja tre-ditore mblodhi së bashku më shumë se 50 vende dhe mbi 100 përfaqësues – komisionerë informacioni, ekspertë nga akademia, media dhe organizata të shoqërisë civile. Pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe pikëpamje mbi çështjet aktuale ligjore dhe praktike që lidhen me lirinë e informacionit. Këtë vit, një theks i veçantë iu vu aksesit në informacionin mjedisor, si një temë me rëndësi të veçantë në kontekstin e sfidave globale mjedisore.
Për herë të parë në kuadër të ICIC, me iniciativën dhe mbështetjen e BfDI-së, organizatave joqeveritare nga e gjithë bota iu mundësua të mbanin aktivitetin e tyre paralel, duke theksuar rolin kyç të shoqërisë civile në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.