AGJENCIA FILLON MONITORIMIN E UEB FAQES SË NDËMARRJEVE PUBLIKE NËN JURIDIKSIONIN E KOMUNAVE DHE QEVERISË SË RMV

27.03.2025

 

Me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik fillon me monitorimin e faqeve të internetit të ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e komunave dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Monitorimi do të përfshijë gjithsej 43 posedues të informacioneve, prej të cilëve 31 janë ndërmarrje publike nën juridiksion komunal, ndërsa 12 ndërmarrje janë nën juridiksionin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Vlerësimi i nivelit të transparencës do të bëhet përmes një pyetësori të detajuar me 36 pyetje dhe nënpyetje. Këto kritere dalin nga neni 10 i Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik (LQLIKP) dhe do të mundësojnë një vlerësim objektiv të disponueshmërisë së informacionit për qytetarët, të publikuar në uebsajtet e tyre. Monitorimi do të fillojë më 27 mars dhe do të zgjasë deri më 27 prill dhe personat zyrtarë tek poseduesit e monitoruar do të kenë afat deri më 9 prill 2025 që t’i përgjigjen pyetësorit të dorëzuar, pra të bëjnë një vetëvlerësim në faqet e tyre të internetit. Agjencia, në përputhje me Metodologjinë për kryerjen e monitorimit për publikimin proaktiv të informacioneve me karakter publik, do të monitorojë faqet e internetit dhe ato do të vlerësohen sipas informacioneve të publikuara/postuara në faqe gjatë periudhës së monitoruar.

Transparenca proaktive është një parim kyç në sigurimin e qasjes së lirë në informacione me karakter publik. Ndërmarrjet publike kanë obligim që rregullisht dhe me kohë të publikojnë informacione në ueb-faqet e tyre, gjë që u mundëson qytetarëve të mësojnë më shpejt dhe më me efikasitet për punën e tyre, si dhe për aktivitetet e ndërmarra që dalin nga kompetencat e tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për avancimin e proceseve demokratike dhe forcimin e besimit në institucione.

Monitorimi synon të identifikojë mangësitë e mundshme në publikimin e informacionit dhe të propozojë përmirësime, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në të dhënat me interes publik. Rezultatet pritet të japin një pasqyrë të qartë të respektimit të detyrimeve ligjore të transparencës nga ndërmarrjet publike.

Raporti me gjetjet nga monitorimi do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë pas përfundimit të analizës dhe do të jetë në dispozicion të poseduesve të informacionit, si dhe të publikut.

Accessibility Toolbar