RAPORT PËR AKTIVITETET E REALIZUARA TË DALURA NGA KOMPETENCAT LIGJORE TË AGJENCISË PËR PERIUDHËN JANAR – QERSHOR TË VITIT 2022

29.07.2022

Qasja e lirë në informacione me karakter publik është një nga parakushtet bazë për funksionimin e përgjegjshëm dhe transparent të institucioneve. Pjesëmarrja aktive e qytetarëve në proceset politike dhe cilësia e pjesëmarrjes së tyre në krijimin e politikave publike dhe vendimmarrjen varet drejtpërdrejt nga fakti se sa janë të njohur dhe të informuar qytetarët për ato procese. Ato informata i krijojnë dhe me ato  disponojnë organet e pushtetit shtetëror dhe organet dhe organizatat tjera të përcaktuara me ligj, organet e komunave, qyteti i Shkupit dhe komunat në qytetin e Shkupit, institucionet dhe shërbimet publike, ndërmarrjet publike, personat juridikë dhe fizikë të cilët kryejnë autorizime publike të përcaktuara me ligj dhe veprimtari me interes publik dhe partitë politike në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve. Prandaj, mundësimi i qasjes në këto informacione është një proces i domosdoshëm që çon në demokratizimin e proceseve të krijimit të politikave publike dhe marrjen e vendimeve që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e përgjithshme.

Njohja me të dhënat përkatëse është e një rëndësie vendimtare për të kuptuar punën e institucioneve, dhe në këtë kontekst, sot nuk është e mundur të imagjinohet pjesëmarrje cilësore në proceset e marrjes së vendimeve politike, nëse nuk ka vetëdije dhe depërtim në punën e institucioneve publike.

Si organ i shkallës së dytë në procesin e zbatimit të ushtrimit të së drejtës për qasje në informacione me karakter publik, Agjencia përballet me sfidën më të madhe, e cila buron nga kompetenca e saj themelore – të zhvillojë procedura administrative dhe të vendosë për ankesat nga kërkuesit e informacionit të paraqitura kundër poseduesit e informacionit, në rastet kur poseduesit e informacionit nuk kanë vepruar në përputhje me dispozitat e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik.

E drejta për të dorëzuar ankesë është e barabartë për të gjithë kërkuesit që kanë paraqitur një kërkesë me gojë, me shkrim ose në formë elektronike për qasje në informacione me karakter publik deri tek ndonjë institucion në nivel qendror ose lokal (organ i shkallës së parë), gjegjësisht tek cilido posedues të informacioneve të regjistruar. Agjencia, si organ i shkallës së dytë në procedurën e ankesës, ia përcjell ankesat organeve të shkallës së parë (poseduesit e informacionit) për gjykim, me kërkesë që të sjellet vendim brenda 7 ditëve në lidhje me pretendimet e përfshira në ankesë. Duke marrë parasysh pretendimet në ankesë, përgjigjen në ankesë dhe provat tjera të bashkangjitura, Agjencia merr vendim të duhur brenda afatit të përcaktuar me ligj prej 15 ditësh.

Agjencia u dorëzon poseduesve të informacionit të cilët nuk kanë vepruar sipas kërkesave për qasje në informacione me karakter publik (e ashtuquajtura heshtje e autoritetit) vendimin për të urdhëruar veprimin në përputhje me Ligjin për QLIKP-në brenda 15 ditëve nga pranimi i vendimit, me detyrim që brenda atij afati të informojnë Agjencinë për veprimet e tyre. Për ata posedues të informatave të cilët nuk kanë vepruar plotësisht në përputhje me dispozitat e Ligjit, Agjencia u jep vendime për riveprimin e tyre, me udhëzime se si ta bëjnë të njëjtën. Nëse vendimet e tilla fillestare nuk rezultojnë në realizimin e qëllimit të ligjit, Agjencia përgatit dhe ua dorëzon poseduesve të informacionit vendime meritore, të cilat në shumicën e rasteve paraqesin obligim për poseduesit që t’ia dorëzojnë informacionin e kërkuar kërkuesit.

Ky raport i referohet periudhës janar-qershor të vitit 2022 dhe përmban të dhëna për trajtimin e ankesave të parashtruara nga ana e Agjencisë, në periudhën nga 1 janari deri më 30 qershor të vitit 2022, periudhë gjatë së cilës janë dorëzuar gjithsej 184 ankesa.

Duke analizuar strukturën e ankuesve në Agjenci, mbetet fakti se pjesa më e madhe e ankesave, gjithsej 110, janë dorëzuar nga persona juridikë, përkatësisht nga shoqatat e qytetarëve dhe fondacionet, ndërsa 74 ankesa janë paraqitur nga persona fizik. Në këtë raport vërehet se është rritur interesimi i personave fizikë, përkatësisht qytetarëve për shfrytëzimin e kësaj të drejte të garantuar me Kushtetutë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 më së shumti ankesa janë dorëzuar kundër:

  • Institucioneve shtetërore – 89
  • Komunave – 56
  • Personave juridik dhe fizik të cilët kryejnë autorizime publike me interes publik – 19
  • Institucioneve shëndetësore – 7
  • Pushtetit gjyqësor – 6
  • Institucioneve arsimore – 4
  • Ndërmarrjeve publike – 3

Nga ankesat e dorëzuara në Agjenci, mund të konstatohet se parashtruesit e kërkesës ende janë në interesin më të madh për informacionet që dalin nga puna e institucioneve shtetërore, komunave, si dhe personave juridikë dhe fizikë që ushtrojnë kompetenca publike dhe aktivitete me interes publik.

Në periudhën janar-qershor 2022, në bazë të 184 ankesave, agjencia ka sjellë:

  • 9 Vendime për rrefuzim
  • 61 Vendime për detyrim
  • 25 Vendime për hedhje poshtë
  • 39 Vendime për ndërprerje të procedurës
  • 50 Vendime për ripërsëritje të lëndës

Kundër vendimeve të sjellura nga Agjencia, deri tek

Kundër vendimeve të sjellura nga ana e Agjencisë, deri tek Gjykata administrative janë dorëzuar 7 padi.

Agjencia ka vepruar edhe në bazë të vendimeve pas Ankesave të dyta të parashtruara nga ana e kërkuesve të infomacioneve me karakter publik. Në periudhën që është objekt i raportit janë dorëzuar 22 ankesa të dyta dhe janë proceduar 21 ankesa. Në muajin korrik është vepruar edhe për Ankesën e dytë të fundit, kështu që pas të gjitha 22 ankesave të dyta, Agjencia ka sjellë Vendime adekuate.

Për 21 Ankesa të dyta Agjencia solli:

  • 11 Vendime me të cilat poseduesi obligohet
  • 2 Vendime me të cilat procedura ndërpritet dhe
  • 8 Vendime me të cilat Ankesa rrefuzohet si e pa bazë

Në këtë raport duhet theksuar se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, trajnimet dhe punëtoritë e realizuara me personat zyrtar tek poseduesit e informacioneve dhanë një efekt të caktuar në eliminimin e arsyes më të zakonshme të paraqitjes së ankesave në Agjenci – heshtja e administratës, e cila nga numri i përgjithshëm i ankesave të paraqitura është 33.15%.

Në ankesat e dorëzuara më së shumti është shprehur pakënaqësia e ankesve nga veprimi i poseduesve të informacioneve në lidhje me kërkesa të cilat kanë të bëjnë me:

  • Procedura për furnizime publike
  • Të dhëna për marrëveshje menaxhuese të nënshkruara
  • Stacione matëse për mbrojtjen e mjedisit jetësor
  • Mjete nga akcizat
  • Autorizime të dhëna për persona zyrtar të autorizuar
  • Fondet e grumbulluara nga importi
  • Të dhëna për realizimin e Planeve të Veprimit për Strategji
  • Legalizimet e tokave
  • Privatizimin e tokës shtetërore
  • Fondet e paguara në media për zgjedhjet e fundit vendore
  • Procesverbalet e komisioneve të mbajtura
  • Vendimet e nxjerra nga ministritë
  • Inspektime të kryera për mbikqyrje
  • Raportet për inspektimet e kryera në objektet shëndetësore
  • Rregulloret e punës
  • Për numrin e nxënësve të regjistruar në shkollat ​​fillore dhe të mesme
  • Për kontrollin e plagjiaturës në arsimin e lartë
  • Për numrin e banorëve në bashkitë që furnizohen me ujësjellës
  • Për numrin e banorëve që furnizohen me ujë nëpërmjet puseve
  • Për lejet e ndërtimit të lëshuara
  • Për inspektim në PDU dhe PGJU
  • Për dhënien e tokës me qira
  • Informacion për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë

Agjencia, si organ i shkallës së dytë, duke vepruar në rastet e ankesave, ka nxjerrë konkluzionin se në shumicën e rasteve objekt i kërkesave për të cilat parashtrohen ankesat janë informacionet që poseduesit janë të detyruar t’i publikojnë në faqet e tyre të internetit dhe në këtë mënyrë të informojnë publikun. Inkurajojmë poseduesit e informacioneve me karakter publik që në mënyrë proaktive të publikojnë informacionet, i cili do të sigurojë që informacioni kryesor të jetë në dispozicion të qytetarëve në kohën e duhur. Publikimi proaktiv i informacionit të karakterit publik, si detyrim ligjor për poseduesit, buron nga neni 10 i Ligjit për QLIKP-në, ku renditen në mënyrë shteruese 22 kategori informacionesh që poseduesit janë të detyruar t’i publikojnë në faqet e tyre të internetit. Informacioni i publikuar ndihmon qytetarët që të kuptojnë më mirë funksionimin e institucioneve, të drejtat dhe detyrimet e tyre, mënyrën se si mund të ndikojnë në marrjen e vendimeve që reflektohen në jetën dhe punën e tyre të përditshme, si dhe për t’iu qasur më lehtë shërbimeve që iu ofron shteti. Transparenca dhe qasja në informacione me karakter publik janë instrumente të pandashme në luftën kundër korrupsionit.