TRANSPARENCË PROAKTIVE E INSTITUCIONEVE PËR SHFRYTËZIM MË EFIKAS TË INFORMACIONEVE ME KARAKTER PUBLIK

31.01.2022

Në vend mungojnë 536 zjarrfikës dhe kemi 200 mjete zjarrfikëse, shumica e të cilave janë më të vjetra se 18 vjet. Kemi gjithsej 183 autoambulanca, 77% e të cilave janë marrë si dhuratë. Këto të dhëna janë marrë përmes së drejtës për qasje në informacione me karakter publik, dhe janë vënë në dukje në debatin publik “Përdorimi efektiv i së drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik në procesin e forcimit të integritetit të institucioneve publike me theks të veçantë tek të rinjtë”, i cili organizohet nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik. Debati publik është pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut” i cili financohet nga Bashkimi Evropian.

Në debat, të pranishmit konstatuan se ka përparim në ushtrimin e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik, por është e nevojshme që të punohet më tej në përmirësimin e këtij procesi. Transparenca proaktive e institucioneve është një prioritet kryesor dhe kur të arrihet kjo fazë, mund të konsiderohet se është bërë vërtet progres cilësor.

Pllamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë, theksoi se e drejta për qasje të lirë në informacione me karakter publik është e garantuar me Kushtetutë (neni 16, paragrafi 3) dhe qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sa më shumë që të jetë e mundur.

“Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve janë baza e zhvillimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Pavarësisht përmirësimit të kuadrit ligjor në këtë fushë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë për sensibilizimin, veçanërisht në mesin e strukturave qeverisëse në institucione për të krijuar një kulturë në të cilën ata vetë do të publikojnë informacione me interes publik, pa pritur një kërkesë për këtë. Përveç kësaj, është e rëndësishme që procedura të përmirësohet dhe të bëhet efikase dhe e thjeshtë për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë proces”, tha Bojçeva.

Aleksandar Kashumov, ekspert kyç për qasje të lirë në informacione publike në projekt, theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të procedurës dhe krijimit të vetëdijes më të lartë për përdorimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore.

“Ligji i ri është një bazë e mirë për përmirësimin e mëtejshëm të procesit, informimin e publikut dhe efikasitet më të madh të institucioneve. Së bashku me Agjencinë jemi duke punuar në përgatitjen e doracakëve që duhet të kontribuojnë në shfrytëzimin më të madh të informacioneve me karakter publik përmes një procedure të shpejtë dhe efikase”, tha Kashumov.

Dançe Bajdevska nga Fondacioni Shoqëria e Hapur, organizatë që mori pjesë në hartimin e Ligjit të ri për qasje të lirë në informacione me karakter publik, përkujtoi se përkundër progresit, ai duhet të përmirësohet edhe më tej, veçanërisht në segmentin e transparencës proaktive të institucioneve.

“Procesi ka përparim dhe këtu nuk duhet të kemi dilema. Mjeti “buxheti i hapur” është krijuar në kuadër të këtij procesi dhe kontribuon në një transparencë më të madhe të institucioneve. Por kjo nuk duhet të na kënaqë, duhet të punojmë më tej, sepse kemi ende dobësi, sidomos në aspektin e përpunimit efikas të kërkesave. Kështu, për shembull, vitin e kaluar institucionet janë përgjigjur në 81% nga 400 kërkesat që kemi paraqitur, dhe vetëm 50% e përgjigjeve kanë qenë brenda afatit ligjor”, tha Bajdevska.

Qasja e lirë në informacione me karakter publik është e rëndësishme për të rinjtë dhe ata duhet sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, për shkak se ashtu krijohet kapacitet më i madh në vet institucionet edhe përforcohet integriteti i tyre.

“Niveli në të cilin gjendet tani praktika për marrjen e qasjes së lirë në informacione me karakter publik është i lartë, por kemi përparim të madh nëse krahasojmë me gjendjet para 15 vjetëve. Me të vërtetë është bërë shumë, por të rinjtë patjetër duhet të kuptojnë se ky është proçes i rëndësishëm i cili mundëson jo vetëm llogaridhënie më të madhe të institucioneve, por edhe përgjegjësi më të madhe. Apeloj deri tek institucionet që në mënyrë proaktive t’i publikojnë informacionet të cilat janë me interes publik, në formë publike dhe të kapshme lehtë”, theksoi German Fillkov, nga Qendra për komunikime qytetare.

Me ligjin e ri për qasje në informacione me karakter publik edhe financimi i paritve politike u bë e dhënë me interes publik ku ka qasje publike. Për këtë qëllim punohet në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në partitë dhe edukohen personat zyrtarë të cilët janë të caktuar për këtë lëmi.

“Me këtë ligj financimi i partive politike mori statusin e informacioneve me karakter publik, që është me rëndësi të madhe për procesin demokratik. Por, që ky proces të implementohet në tërësi, ne me përfaqësuesit e partive punojmë në edukimin dhe krijimin e procedurave plotësuese, duke përcjellur shembujt e kësaj lëmie në demokracitë e zhvilluara, siç janë SHBA dhe Britania e Madhe”, theksoi Marija Sazdevski nga Instituti ndërkombëtar republikan (IRI).

Në sondazhin e IRI realizuar vitin e kaluar, ku morën pjesë përfaqësues të 20 partive parlamentare, theksohet se 91 përqind janë përgjigjur se kanë caktuar person zyrtar për realizimin e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik, ndërsa 78 përqind janë përgjigjur se ky person është i punësuar në parti. Asnjë parti akoma nuk i ka ndryshuar aktet e brendshme dhe procedurat për definimin e procedurës për kërkesa të informacioneve me karakter publik.

“Institucionet nuk janë mjaft transparente as në segmentin e publikimit të informacioneve me karakter publik nga fusha e mjedisit jetësor”, theksoi Aleksandra Karakashova Saçkarska nga shoqata Arhus, e cila është e fokusuar në qasje më të mëdha të informacioneve lidhur me mjedisin jetësor.

Saçkarska njoftoi se në kuadër të memorandumit për bashkëpunim me Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik do të monitorohen institucionet me këtë proces.

“Shteti në vitet e fundit ka investuar 57.2 milionë euro në procesin e studimeve të shpërndara, ndërsa në vitin akademik 2013/2014 krahasuar me vitin akademik 2016/2017 numri i nxënësve të shkollave të mesme është ulur për 17.5 për qind. Këto të dhëna merren nëpërmjet të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik dhe tregojnë qartë se sa informacione të  rëndësishme mund të merren përmes këtij procesi, prandaj është e rëndësishme që të rinjtë të informohen dhe ta përdorin në mënyrë aktive këtë të drejtë, sepse vetëm kështu të gjithë së bashku do të kontribuojmë në përmirësimin e situatës në këtë fushë, e cila është shumë e rëndësishme për shoqërinë”, tha Misa Dokmanoviq, profesor në Fakultetin Juridik, i cili është gjithashtu pjesë e organizatës ISIE.

Petar Barllakovski, kryetar i Forumit Arsimor Rinor, theksoi se edhe përskaj përparimit, institucionet akoma e vështirësojnë procesin e marjes së informacioneve me karakter publik, duke krijuar labirinthe byrokratike dhe duke ia hedhur tjetrit përgjegjësinë.

Vllado Georgiev, anëtar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, theksoi se Ligji për qasje të lirë në informacione me karakter publik është mjet jashtzakonisht i rëndësishëm kundër korrupsionit dhe përforcimin e integritetit të institucioneve.

Ngritja e vetëdijes së publikut për rëndësinë e përforcimit të integritetit të institucioneve dhe shfrytëzimit të së drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik në luftën kundër korrupsionit janë mes qëllimeve kryesore të fushatës për integritet që e realizojnë Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik dhe Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK)